Skënderbeu u zgjua, në rrugë të mbarë

PDF Print E-mail
User Rating: / 2
PoorBest 
Written by Fatjon Hoxhalli   
Saturday, 12 December 2009 18:49

Korçarët, të gëzuar nga kalimi në çerekfinale të kupës, janë duke menduar për Flamurtarin

Askush në Korçë nuk e besonte se skuadra kuqebardhë do të kalonte në turin tjetër të kupës, por ja që tashmë gjithçka është realitet. Skënderbeu, pas shumë e shumë dekadash, e sheh veten në çerekfinalet e kësaj kupe dhe jo më kot para Fierit, të gjithë në këtë qytet janë shprehur se “oreksi vjen duke ngrënë”. Skënderbeu edhe me nëntë futbollistë në fushën e lojës përballë Apolonisë ka treguar se tashmë ka ndryshuar dhe pas disa rezultatesh jo fort të mira të këtij ekipi, duket se kthesa po vjen. “Nuk është rastësi që ne jemi në çerekfinale të kupës.

Kemi zhvilluar një ndeshje vërtet të denjë në “Loni Papuçiu” dhe u treguam fierakëve se edhe me nëntë lojtarë në fushën e lojës dimë të kualifikohemi. Unë e kam thënë dhe vazhdoj ta them se nuk kemi synime të mëdha në kupë, por këto rezultate do të na shërbejnë për kampionatin, atje ku pikët na duhen më shumë se kurrë. Jam vërtet i mrekulluar nga loja e futbollistëve të mi në këto ndeshje të fundit dhe jam i bindur që kështu do të vazhdojmë edhe në këto ndeshje të fundit të këtij viti. Tani s’na mbetet gjë tjetër, të mendojmë tani për kampionatin,” - është shprehur trajneri Haxhiu.

Këto javë të fundit të këtij viti janë një “malore” e vërtetë për korçarët, pasi do të luajnë tri transferta dhe vetëm një ndeshje në fushën e tyre. Vlora, Erseka dhe Fieri, do të jenë transfertat e Skënderbeut, ndërkohë që skuadra korçare do të presë në shtëpi vetëm Besën në javën e parafundit të këtij viti. Por të gjithë në Korçë janë duke menduar, së pari, vetëm për Vlorën, një ndeshje e cila do të luhet ditën e diel.

Kjo ka bërë që Skënderbeu dje, një ditë pas ndeshjes së kupës, të dalë menjëherë në stërvitje, pasi nesër skuadrës korçare i duhet sërish të udhëtojë, për të luajtur në Vlorë. Në lidhje me këtë ndeshje të radhës, trajneri Haxhiu thekson: “Jemi në rrugë të mbarë në këto javë të fundit dhe them që kështu të vazhdojmë edhe ndaj Flamurtarit këtë fundjavë. Për Skënderbeun nuk ka ndeshje në transfertë, apo në shtëpi, pasi të gjithë janë të vështira dhe duhen vlerësuar në maksimum. Unë kam besim te ky grup futbollistësh dhe i vetmi objektiv edhe për këtë ndeshje, do të jetë që të mos dalim pa pikë.”


Lika, në mëdyshje ndaj Flamurtarit

I vetmi merak i trajnerit Gerti Haxhiu për ndeshjen e radhës që skuadra e tij do të luajë këtë të diel në Vlorë, është ai i lezhjanit Lika. Duket se Lika ende nuk është në formën e tij më të mirë dhe me sa duket ai do të jetë në mëdyshje këtë fundjavë për të luajtur apo jo që nga minuta e parë. Për sa u përket të tjerëve, duket se të gjithë do të jenë gati.

Tri barazime radhazi, jo pak për korçarët

Skënderbeu në tri ndeshjet e fundit që ka luajtur për kampionat, ka arritur të shënojë tri barazime. Duke filluar që nga barazimi në shtëpi ndaj Vllaznisë 1‑1, më pas korçarët kanë marrë një tjetër barazim, por pa gola në Laç. Ndeshjen e fundit sërish në shtëpi, Skënderbeu ka ndalur 1‑1 Tiranën kampione të vendit dhe në tri javët e fundit skuadra kuqebardhë nuk ka humbur asnjë ndeshje.

Last Updated on Saturday, 12 December 2009 18:51