
Domenit studimor muzikor i shtohet edhe një zë tjetër, një tingull i fuqishëm, Mikaela Minga, një autore dhe studiuese e zellshme, me pasion dhe vizion dhe me stil të këndshëm e komunikues.
Ajo e filloi rrugën e vet me një botim modest, por mjaft domethënës, “Ku ka muzikë”, një libër i botuar dy vjet më parë nga shtëpia botuese “Uegen”. Ky libër u prit me shumë interes jo vetëm nga specialistët e muzikës, por edhe nga publiku i gjerë, e veçanërisht, mësuesit e të rinjtë, nxënësit e studentët. “Ku ka muzikë” ishte si një përshëndetje, prova e parë me lexuesin, për specialistët, për të tatuar pulsin, por edhe për të nxjerrë ndonjë vërejtje e sugjerim të përzemërt për botimet e ardhshme.
Tashmë, pas një periudhe të shkurtër meditimi, akumulimi dhe krijimi, autorja e na prezanton një punim tjetër në fushën e artit të tingujve. Libri i dytë, “Luçiano Berio dhe Folk Songs”, një monografi kushtuar një prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit XX, i konceptuar me një strukturë e dimension bashkëkohor.
Në vazhdimësi të traditës kombëtare dhe në veçanti të asaj korçare, me përshtypje dhe analiza bindëse, ajo tregon “veten” si krijuese, por edhe si personalitet intuitiv, emocional e meditativ i formuar dhe i konsoliduar tashmë me potencë në fushën e muzikologjisë.
Pa dyshim, në këtë sukses e në këtë lëvizje krijuese reflektohet edhe mbështetja e familjes dhe sidomos e babait të saj, prof. Josif Mingës, kompozitor dhe pedagog i suksesshëm në Universitetin “Fan Noli” të qytetit tonë dhe një student i zellshëm i Akademisë së Arteve.
Botimet e sotme dhe të ardhme të Mikaela Mingës, pa dyshim, do të pasurojnë më tej bibliotekën muzikore dhe literaturën teorike të artit të tingujve dhe besoj se ajo vetë do t’i qëndrojë besnike zotimit profesional, frymëzimit dhe dëshirave rinore.
Më vjen mirë dhe e uroj nga zemra Mikaelën për këto botime cilësore të shkruara me profesionalizëm, me një stil sa shkencor aq edhe të komunikueshëm dhe me një gjuhë të kultivuar artistike. Nëpërmjet një analize e logjike të vërtetë dhe duke iu shmangur “izmave” apo qëndrimeve të njëanshme ideologjike kjo autore e re, përfaqëson tashmë një emër të rëndësishëm në fushën e muzikologjisë shqiptare.
Edhe një herë, urime dhe suksese!
Korçë, më 28.12.2008