Festa e Birrës… në Korçën e festave

PDF Print E-mail
User Rating: / 14
PoorBest 
Written by Fatjon Hoxhalli   
Saturday, 26 September 2009 13:35
Festa e birrës edhe për këtë vit shënoi kulmin e sezonit turistik. E reja e këtij viti dhe më e rëndësishmja, ishte numri i madh i vizitorëve nga rrethet e tjera por edhe turistët e huaj. Indikatori i këtij fakti ishte plotësimi i të gjithë kapacitetit të hoteleve gjë që tregon se jehona e kësaj feste i kapërceu kufijtë e qytetit, duke kapërcyer njëkohësisht edhe vështirësitë e krizës globale. Në katër netët e festës u konsumuan 112 mijë gota birrë krahas dhjetra shisheve të tjera, të cilat plotësuan kërkesat në rritje të pjesëmarrësve.

Bazuar në këto shifra si edhe në opinionet e ardhurve nga jashtë qytetit, Festa e Birrës në Korçë është festa më e madhe dhe më popullore në Shqipëri në sezonin veror.

Festa njëkohësisht po çon në rritjen e interesit të sektorit privat hoteleri dhe shërbime duke i bërë ato më pretenduese për të rritur cilësinë e shërbimeve.

Padyshim që kjo festë është edhe një promovim i vlerave qytetare të Korçës sonë. Korçari e ka në gen argëtimin e qefin. Kjo festë masive vazhdoi për katër net, duke mos shënuar asnjë incident.

Festa e Birrës i ka kushtuar Bashkisë Korçë vetëm 600 mijë lekë pasi e gjithë pjesa tjetër u përballua nga pjesëmarrësit, fabrikat e birrës dhe ato të sallamerive si dhe punishtet e prodhimit të ëmbëlsirave. Një ndihmë të madhe dhanë edhe sponsorat.

Në përpjekjet dhe programet e Bashkisë së qytetit për t’i dhënë Korçës një profil të ri, atë të " Korça qyteti i festave" si dhe për ta bërë qytetin një destinacion për turizmin e fundjavës, Festa e Birrës padiskutim që ka dhënë dhe do të japë edhe në vitet në vazhdim, kontributin më të madh në ndërtimin e kësaj rruge.