Humb jetën aktori Perika Gjezi |
|
|
|
| Written by Vasjan Golka | |||
| Sunday, 27 June 2010 23:47 | |||
|
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Voskopojë-Korçë, ku aktori Perika Gjezi është aksidentuar, për vdekje nga një makinë e tipit Land Rover, në vendin e quajtur Gjonomadh. Makina drejtohej nga Xhulian Islami 20 vjeç, me banim në Tiranë. Menjëherë policia mbërriti në vendngjarje nga ku nisi menjëherë hetimet për zbardhjen e aksidentit.
Perika Gjezi ka lindur në vitin 1949 në qytetin e Korçës. Aktivizohet që në moshe shumë të re në trupën e teatrit amator të gjimnazit "Fauat Babani" në drejtimin e regjisorit dhe aktorit të mirënjohur Piro Mani. Në vitin 1965, gjatë kohës e gjimnazit, do të interpretojë edhe rolin e tij të parë në dramën "Tre të shtëna pushke" të Ibrahim Uruçit, të vënë në skenë nga trupa profesioniste e Teatrit "Andon Z. çajupi" të qytetit të Korçës. Ai ka mbaruar në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Aktrimit. Pas mbarimit të Institutit, rikthehet në qytetin e Korçës si aktor në Teatrin e këtij qyteti, nga ku ka interpretuar me dhjetëra role. Këtu mund të përmendim rolin e Edi Karbones në dramën "Pamje nga ura" e Milerit ose në dramën e Kasëm Trebeshinës "Histori dashurie".
Perika Gjezi ka interpretuar në mbi 15 role në kinematografi, ku 10 janë role kryesore. Roli i tij i parë do të jetë episodik, Demka, djalit të mullixhiut në filmin "I teti në bronx" me regji të Viktor Gjikës. Roli i tij i parë kryesor, do të jetë roli i komisarit në filmin "Shtigje lufte" të regjisorit Piro Milkani (Artist i Popullit) në vitin 1974, kur ai sapo ishte diplomuar. Më tej do të vazhdonin role të tjera si ai Gjergjit në filmin "Tokë e përgjakur", roli i Gjergjit në filmin" Nga mesi i errësirës", roli i mësues Naimit, në filmin "Balonat", roli i Elmazit, i plotfuqishmi i fshatit, në filmin "Asgjë nuk harrohet", Tahiri në filmin "Dasëm e çuditshme" etj.
|
|||
| Last Updated on Monday, 28 June 2010 00:19 |




Aktori i mirënjohur Perika Gjezi ka humbur jetën sot në një aksident rrugor në Korçë.