
Qyteti i Korçës ka tërhequr shumë vëmendje ndër-kombëtare, njohje dhe...
...lëvdata për konkursin ndërkombëtar të vitit 2009, për qendrën e qytetit. Si autor i idesë fituese, unë do të dëshiroja të shtoja edhe komplimentet e mia personale për kryetarin e Bashkisë, Niko Peleshi, për nxitjen fillestare, si dhe për administrimin e përgjegjshëm dhe profesional të procedurave që ndoqën konkursin.
Procedura pas konkurrimit është një fazë kritike. Në Europë ndodh shpesh, që projekte spektakolare fitojnë çmimin e parë dhe pastaj zhduken për shkak të konfuzionit në nivel politik apo administrativ. Kur diskutohet e ardhmja e qytetit, përfundime të tilla janë për të ardhur keq dhe në fakt janë tragjike. Ky nuk ishte rasti i Korçës, ku konceptet e konturuara në konkurs, për një periudhë nëntëmujore janë studiuar me kujdes, përputhur me kuadrin ligjor kombëtar dhe lokal, plotësuar në elementë dhe kërkesa të specifike dhe formatuar për të përfunduar në katër raporte teknikisht të saktë, dhe menjëherë të implementueshëm.
Ne, në studion e Bolles + Uilson jemi tejet krenarë për thellësinë dhe cilësinë me të cilën kemi arritur të konturojmë të ardhmen e qytetit të Korçës. Rezultati është i jashtëzakonshëm edhe kur e krahasojmë me eksperiencat e tjera që ne kemi si hartues masterplanesh të qendrave të tjera të zhvilluara urbane si: Distrikti Monteluce në Peruxhia, Itali; Christiansberg në Kopenhagen, Danimarkë; Kuartieri i ri kulturor në Ammersfoort, Holandë apo Dresden, Gjermani, madje edhe krahasuar me masterplanin e hartuar nga ne për distriktin Falkenreid në Hamburg, i cili ka fituar edhe çmimin e vitit në Gjermani, për planifikimin urban.
Në vijim të prezantimit tim publik në Korçë të masterplanit përfundimtar, jam informuar se KRRT-ja e Bashkisë Korçë, e ka shtyrë aprovimin e dokumentacionit të masterplanit. Opinioni im është që e ardhmja e qytetit të Korçës, si dhe mundësitë për një zhvillim urban të kontrolluar, janë momentalisht në rrezik. Në rrezik për shkak të ekzistencës së opinioneve të pasakta, keqdashëse dhe joprofesionale në lidhje me masterplanin tonë, si dhe evolucionin që ka pësuar ky masterplan. E ardhmja e Korçës është gjithashtu në rrezik, edhe për shkak të thënieve të pavërteta dhe keqdashëse, se procesi absolutisht normal i detajimit, i cili ka vijuar pas konkursit, përfaqëson një devijim nga principet tona origjinale, me të cilat e kemi fituar në konkurs. Jam i lumtur si autor, të shpall edhe njëherë, se kjo nuk ka ndodhur, se të gjitha detajimet që i janë bërë variantit të konkursit, përfaqësojnë vendimet e mia, vendime të marra profesionalisht, të mbështetura në shumë vite eksperiencë në planifikimin urban dhe të marra me qëllimin e vetëm për të arritur më të mirën e mundshme për qytetin e Korçës.
Të tilla keqinformime që kanë qarkulluar në shtyp, mund të shërbejnë për interesa politike afatshkurtra. Ato kanë penguar procesin normal të planifikimit urban dhe n.q.s lihen të pakorrigjuara, do të kenë pasoja tejet negative për zhvillimet e ardhshme të qytetit. Të tilla keqinformime do të shuajnë, madje edhe shkatërrojnë plotësisht statusin aktual, që qyteti i Korçës ka (brenda Shqipërisë, por edhe ndërkombëtarisht) si një qytet model dhe i përgjegjshëm në drejtim të planifikimit urban.
Për arsyet e mësipërme dhe me qëllimin e korrigjimit te keqinformimeve të sipërpërmendura, e ndiej si detyrimin tim të përshkruaj më poshtë evoluimin, por edhe përputhshmërinë e masterplanit përfundimtar, me konceptet e projekt-idesë fituese të konkursit.
5 Zona - 4 Raporte
Projekt-ideja e konkursit e ndante qendrën e Korçës në 5 zona studimore:
Sheshi i Katedrales - një hapësirë përfaqësuese për evente.
Sheshi i Teatrit - një fokus i ri tregtar.
Bulevardi Shën Gjergji - një zonë këmbësore.
Zona e Ligor Rembecit - një zonë mikse, midis të resë dhe të vjetrës.
Parku Vangjush Mio - i rritur në përmasa dhe me funksionin e zemrës së gjelbër brenda qytetit.
Është e nevojshme të rishpall principet analitike që formonin projekt-idenë tonë fituese. Është gjithashtu e nevojshme të shpall kategorikisht, se masterplani përfundimtar mbështetet absolutisht në të njëjtat principe të analizës së pesë zonave.
Tri zonat e para janë projektuar me shumë detaje, secila e paraqitur si një raport i veçantë. Këto tri raporte japin informacion teknik shumë të detajuar në lidhje me: zonimin funksional, rrjetin rrugor, materialet për shtrimin e rrugëve dhe trotuareve, profilet tërthore e gjatësore të rrugëve e zonave këmbësore dhe gjithashtu, edhe një katalog të objekteve për mobilimin urban, apo ndriçimin publik. Të gjitha në përputhje me parimet origjinale të konkurrimit dhe të gjitha të detajuara në një nivel të tillë, që do të mundësonte një implementim të shpejtë, sapo të përfundonte procedura e miratimit.
Të tre raportet që përmenda më sipër, sigurojnë një rrjet hapësirash publike, të cilësisë së lartë dhe bashkëkohore, të cilat do të ishin në përfitim të të gjithëve dhe do të garantonin një të ardhme dinjitoze për qytetin e Korçës.
Këto tre raporte përfaqësojnë 75% të masterplanit përfundimtar. Ndonëse tejet të detajuara, ato në mënyrë të padiskutueshme mbështeten, respektojnë dhe zgjerojnë konceptet e planifikimit urban dhe hapësinor, të shpallura në projekt-idenë fituese.
Raporti nr.4 - Planet e detajuara
Raporti i katërt konsiston në 30 faqe, ku përcaktohen principet për zhvillimin e ardhshëm të të gjithë qendrës së qytetit të Korçës. Ai bazohet dhe është konform parimeve të shpallura në projekt-idenë fituese të konkursit. Raporti, gjithashtu përfshin detajime, si rezultat i konsultimeve të zgjeruara me përfaqësuesit e qytetit të Korçës.
Nga eksperienca jonë, (si fitues të më tepër se 30 çmimeve ndërkombëtare dhe lokale në konkurset e organizuara për planifikimin urban dhe arkitekturën) kjo fazë e detajimit dhe përshtatjes, pas konkurrimit, është e nevojshme dhe esenciale për përkthimin e vizionit në një strategji planifikimi, me cilësi të lartë dhe të zbatueshme. Projekt-ideja jonë e konkursit bazohej në një analizë të situatës aktuale, historisë dhe topografisë. Projekt-idetë dërgohen bazuar në një përmbledhje të detajuar, por pa konsultimin direkt dhe pa opinionin e përfaqësuesve të qytetit. Masterplani i detajuar është rezultat i fazës vijuese të detajimit. Ai e sjell vizionin fillestar në një linjë me një gamë të madhe çështjesh, si ligjore ashtu edhe të pronësisë mbi tokën, të cilat nuk mund të ishin pjesë e procesit të konkurrimit.
Raporti i masterplanit përfundimtar konsiston në: analizën e situatës aktuale, zonimin funksional, vendndodhjen e zonave që do zhvillohen në të ardhmen, rrjetin rrugor, lëvizjen e këmbësorëve, llojet e shtrimeve, vendndodhjen e hapësirave të gjelbra, ndriçimin publik, elementet hijëzues dhe të ujit në zonat publike, zonimin vertikal, etj.
Dy prej 5 zonave të përmendura me sipër (parku Vangjush Mio dhe zona e Ligor Rembecit ) janë trajtuar brenda këtij raporti.
Zona qendrore dhe parku Vangjush Mio
Racionalizimi dhe reduktimi i trafikut që kalon në qendrën e qytetit, siç propozohej edhe në projekt-ide, krijon mundësinë e një zgjerimi të këtij parku, në drejtimin perëndimor. Ky parim, si dhe parimi tjetër i shiritave me bimësi të re, me drejtim lindje-perëndim, është zhvilluar me tej në raportin e detajuar. Në variantin e projekt-idesë, ne sugjeronim heqjen e shkollës "Themistokli Gërmenji" dhe vendosjen e një blloku banimi me formë trekëndore. Ky opsion provoi të ishte jorealist dhe i dëmshëm për qendrën e qytetit (sillte humbjen e një shkolle ). Për këtë arsye, shkolla ekzistuese u rifut në masterplanin final. Shkolla tani është integruar brenda hapësirës së parkut të zgjeruar dhe ka fituar hapësira të reja të gjelbra dhe sportive. Është ky një ndryshim? Po, një ndryshim për mirë.
Në projekt-ide, përgjatë kufirit të parkut, parashikoheshin ambiente për bare. Në atë kohë ne nuk ishim në dijeni se ndërtime te tilla, të tipit kioskë, në hapësirat e gjelbra ishin të ndaluara ligjërisht në Shqipëri. Këto ndërtime nuk janë me pjesë e masterplanit përfundimtar. Këto funksione janë rialokuar tek ndërtesat që rrethojnë parkun. Rezultati i këtij ndryshimi është përsëri pozitiv, një rritje e hapësirës se gjelbër të vetë parkut.
Masterplani përfundimtar synon gjithashtu të integrojë të gjashtë pallatet e ndodhura midis shkollës "Themistokli Gërmenji" dhe Rr. " Edith Durham", në një hapësirë të gjelbër, të ngjashme me një park. Projekt-ideja e konkursit parashikonte ndërtimin e një blloku pallatesh me 6 kate, ndërmjet bllokut ekzistues "Rinia" dhe Rr. "Edith Durham". Kjo do të siguronte konturimin e qartë të rrugës, një rritje të hapësirës tregtare në aksin komercial, që shkon drejt pazarit, si dhe një barrierë mbrojtjeje për pallatet ekzistuese. Gjatë konsultimeve me publikun, banorët e bllokut ekzistues kërkuan një zvogëlim në shkallë të ndërtesës së re, që propozohej në Rr. " Edith Durham ". Masterplani përfundimtar, duke marrë parasysh kërkesën e tyre, ka integruar një ndërtesë të zvogëluar ndjeshëm në përmasa, së bashku me një pergolatë, duke ruajtur parimin origjinal të konturimit të rrugës.
Ky ndryshim demonstron qëndrueshmërinë e parimeve fillestare mbi të cilat ngrihej masterpani, si dhe procesin demokratik të konsultimit me publikun. Në mënyrë ironike, ky ndryshim, unë besoj se u kërkua me forcë dhe u promovua nga ekzaktësisht të njëjtat zëra, që tani (padrejtësisht) na akuzojnë ne për ndryshime të paprincipta të masterplanit.
Zona Ligor Rëmbeci
Kjo zonë qendrore, e ndodhur midis sheshit të Katedrales dhe parkut Vangjush Mio, përmban një numër vilash historike, shumë prej tyre në gjendje të keqe të mirëmbajtjes. Një strategji planifikimi radikalisht konservatore, do të insistonte në ruajtjen dhe restaurimin e tyre dhe që kjo zonë të mbetej e ngrirë për të kujtuar shkallën historike dhe karakterin e Korçës. Një strategji alternative e tregut të lirë për këtë zonë qendrore, do të fshinte të gjitha vilat ekzistuese, për t'u hapur rrugë ndërtimeve të reja të larta. Kjo polemikë, midis të resë apo të vjetrës, është në fakt çështja me e madhe e planifikimit urban për shumicën e qyteteve shqiptare dhe të tjera.
Në fazën e konkursit, ne vendosem që asnjë prej këtyre ekstremeve nuk është i pranueshëm. Ne vend të tyre ne ofruam një strategji, të cilën e quajtëm me termin Strategjia Mix - një miksim i shkallëve të ndryshme, historikes dhe të resë. Ne iu referuam kësaj si Patchwork Quartier (Kuartieri Mozaik) i përbërë nga ishuj zhvillimi, të cilët harmonizojnë ndërtesat e reja me ato ekzistuese, një kompromis i përfitimit ekonomik të ndërtesave të reja, me përgjegjësinë e ruajtjes së ndërtesave të vjetra.
Duhet të theksohet se ky nuk është një impostim nga lart-poshtë, i një shablloni jofleksibël ndërtimi, kjo është më tepër një strategji operative, një proces dhe procedurë që kërkon negocim, përfshirje dhe bashkëpunim të pronareve individuale të pronave. Ky është një proces thellësisht demokratik, që në qoftë se do te jetë i suksesshëm në Korçë, do të siguronte një model shumë pozitiv për qytetet e tjera shqiptare dhe europiane.
Në proceset planifikuese "open-ended", nuk mund të ketë një rezultat të vetëm të paracaktuar. Procesi, në zhvillimin e tij, varet nga fakti se cilët pronarë dëshirojnë t'i bashkohen atij. Kjo nënkupton, që forma finale e zonës Ligor Rembeci duhet që si rezultat i procesit, të evoluojë përtej modelit, i cili ilustrohet në projekt-idenë e masterplanit.
Masterplani përfundimtar specifikon rregullat e procesit, duke përcaktuar mundësitë e bashkëpunimit të pronarëve të parcelave individuale, për të formuar ishuj zhvillimi, si dhe parametrat maksimale të ndërtimit, numrin e kateve dhe strategjinë e parkimit për këto parcela zhvillimi. Pronarët individualë u konsultuan, ashtu siç e kërkon edhe strategjia e zhvillimit, gjatë fazës së përgatitjes së masterplanit përfundimtar. Konkluzionet e këtyre konsultimeve çuan në përcaktimin e 15 ishujve për zhvillim. Ndërmjet këtyre ishujve, një rrjet pasazhesh të çon tek lokale, dyqane, përgola hijezuese dhe basene ujore në brendësi të bllokut.
Është e kuptueshme, se ata që janë familjarizuar vetëm me procese planifikuese të ngurta, mund të zgjedhin ta keqinterpretojnë këtë proces. Unë mund t'i siguroj ata, ashtu siç bëj me audiencën time kur jap leksione në auditore ndërkombëtare, se procedura e ndjekur në rastin e Korçës, ka qenë shembullore dhe në asnjë rast nuk përfaqëson heqje dorë nga vizioni ynë i konkursit ndërkombëtar. Evolucioni nga vizioni i konkursit tek katër raportet përfundimtare të masterplanit të detajuar, është në fakt një sukses i jashtëzakonshëm, për të cilin qytetarët e Korçës duhet të jenë krenarë dhe sapo procedurat e miratimit në nivel lokal dhe kombëtar të kenë përfunduar, ky masterplan do t'i garantojë qytetit të Korçës një të ardhme të denjë për të.
*Arkitekt, fitues i studios ndërkombëtare të arkitekturës për qendrën e qytetit të Korçës